Duket se ekzekutimi mafioz i 38-vjeçari Gjin Boriçi që u vra me plumb në kokë të diel në Shkodër, sipas një piste që po ndjek grupi hetimor, shënjon edhe ri-ndezjen e luftës mes klaneve kriminale në qytetin e Shkodrës.
Gjin Boriçi 38 vjeç, i cili mbante edhe dy emra të tjerë, Gjin Ndoj dhe Gjin Frroku, sipas policisë është qëlluar me dy plumba në kokë dhe një në shpatull duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Burimet nga grupi hetimor thonë se deri më tani po ndiqen dy pista hetimi. Njëra është për shkak të gjakmarrjes pasi një xhaxha i viktimës 15 vite më parë ka vrarë një djalë 16 vjeç, ndërsa pista tjetër që është edhe më kryesorja, ka të bëjë me aktivitetin e mëparshëm kriminal të tij.
Dyshohet se vrasja e Gjin Boriçit ka lidhje me përplasjet e grupeve kriminale në Shkodër, pasi Gjin Boriçi ka qenë shok me anëtarë të familjes Bajri dhe veçanërisht Behar Bajrin, i cili sapo ka dalë nga paraburgimi pas pushimit të akuzave ndaj tij. Mendohet se vrasja e Boriçit mund të jetë, edhe një mesazh për Bajrin, menjëherë pas daljes nga burgu.
Autorët dyshohet se i kanë zënë pritë Gjin Boriçit dhe pasi e kanë nxjerrë nga makina kanë qëlluar ndaj tij pa i thënë asnjë fjalë. Policia dyshon se autorët janë njohës të mirë të zonës ku ndodhi vrasja.
Ndërkohë mësohet se policia e Shkodrës ka sekuestruar një numër të madh të kamerave të sigurisë në rrugën nacionale Shkodër-Tiranë, në zonën e Bushatit ku janë drejtuar autorët pas vrasjes, në zonën e Velipojës, në Lezhë dhe vende të tjera ku ka dyshime se mund të kenë lëvizur.