Midis lojtarëve që janë aktivizuar më pak këtë sezon është dhe Thomas Strakosha, i cili nuk po kalon momentin e tij më të mirë në karrierë te skuadra e Lazios.
Me klubin nga kryeqyteti portieri shqiptar ka numëruar 6 herë prezencat e tij në fushë midis kampionatit dhe Champions-it, i cili ka humbur vendin e titullarit me portierin e njohur spanjoll Pepe Reina.
Siç raporton e përditshmja italiane sportive “Corriere dello Sport”, gardiani kuqezi me rendimentin e tij mund të komplikojë rrugën që e çon në një rinovim të mundshëm të kontratës së tij me bardhekaltrit, pasi kontrata e tij skadon në 2022.
Javë pas javësh drejtuesit e Lazios e kanë anashkaluar këtë temë, duke e lënë në pritje portierin 25-vjeçar shqiptar.
Sipas asaj që përcjellin mediat italiane thuhet se e vetmja mënyrë e Strakoshës për të përmbysur gjithçka është të punojë shumë dhe të kërkojë të bindë trajnerin Simone Inzagi për t’iu dhënë edhe një mundësi tjetër.