Testi i poligrafit dhe përgjimet e policisë përfundojnë në Kushtetuese

0

Testi i poligrafit për kandidatet dhe drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, si një ndër kushtet e përzgjedhjes, përfundon në Gjykatën Kushtetuese.

Mësohet se kërkesa është depozituar disa javë më parë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. KSHH në kërkesë argumenton se ky test shkel të drejtat e njeriut dhe privatësinë, dy të drejta të saksionuara ne Kushtetutë. Poligrafi u aplikua zyrtarisht në garën e drejtuesve të BKH. Poligrafi u bë shkak për disa përjashtime nga gara.

Për këtë KSHH ka kërkuar shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të nenit 34, pika 2, shkronja “gj”; nenit 38, pika 2, shkronja “e” të ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” dhe nenit 38, pika 2, të ligjit nr.12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës së Shqipërisë dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.

Veç të tjerash Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkon dhe shfuqizimin e nenit 131 në ligjin për policinë e Stetit, që u njihet e drejta të mbledhin informacione duke gjurmuar dhe përgjua në mënyre ambientale, shkruan shqiptarja.com.

Neni 131 i ligjit për ‘Policinë e Shtetit’ i ankimuar në Gjykatën Kushtetuese:

Masa të veçanta

1. Kur në bazë të të dhënave që disponohen dyshohet se një person ka kryer një vepër penale ose po planifikon apo po organizon që të kryejë një krim dhe kjo veprimtari nuk mund të zbulohet ose të parandalohet në rrugë e mënyra të tjera, në përputhje me legjislacionin në fuqi, punonjësi i policisë me gradën “Kryekomisar” ose më lart, sipas juridiksionit lëndor, kërkon autorizimin nga prokurori për të marrë masat e mëposhtme:

a) përgjimin e fshehtë ambiental dhe procedural të bisedave të personave në vende publike ose në mjete transporti;

b) përgjimin e fshehtë të bisedave telefonike ose telekomunikimeve të personave, në përputhje me legjislacionin përkatës;

c) përdorimin e pajisjeve teknike për fotografim, regjistrim audio ose video, në përputhje me legjislacionin përkatës.

2. Përdorimi i masave të veçanta, sipas pikës 1, të këtij neni, lejohet për aq kohë sa ekzistojnë arsyet ose rrethanat që kanë bërë të nevojshëm autorizimin e tyre për përdorim veçmas ose të kombinuar dhe zgjat sipas afateve të vendosura në legjislacionin përkatës.

3. Kur referimi i veprës penale, për të cilën janë përdorur masat e veçanta, nuk bëhet brenda gjashtë muajve pas përfundimit të përdorimit të masave të veçanta, të parashikuara në këtë nen, i gjithë informacioni i mbledhur si rezultat i përdorimit të këtyre masave asgjësohet, sipas rregullave të përcaktuara nga Drejtori i Policisë së Shtetit.

4. Kur në vende të veçanta kryhen në mënyrë të përsëritur përgjime ambientale procedurale, me autorizim të Prokurorit të Përgjithshëm dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, strukturat e policisë ndërtojnë impiante stacionare të përgjimit ambiental.

5. Rregullat teknike për realizimin e vendimit të përgjimit ambiental procedural dhe parandalues, si dhe për ndërtimin dhe shfrytëzimin e impianteve stacionare të përgjimit ambiental përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë padinë më 23 mars në orën 10:00.

Ja njoftimi zyrtar:

Gjykata Kushtetuese njofton se seanca plenare e caktuar në datën 23.03.2021, ora 10:00, për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me objekt: “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të nenit 34, pika 2, shkronja “gj”; nenit 38, pika 2, shkronja “e” të ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” dhe nenit 38, pika 2, të ligjit nr.12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës së Shqipërisë dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, bazuar në nenin 44/a të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, është shtyrë në një datë tjetër. Në lidhje për datën dhe orën e seancës plenare, do të ndiqen rregullat përkatëse të njoftimit të palëve dhe të publikimit të saj.

Artikulli i mëparshëmZbardhen tre vjedhje në Tiranë, pranga laçjanit që kërcënonte qytetarët dhe u merrte paratë e sendet me vlerë
Artikulli i radhësKomentatori italian feston si ultras fitoren dramatike të Milanit, shihni çfarë bën në studio