Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të mblidhet gjatë ditës së nesërme, ku do të vendosë mbi fatin e prokurorit të Sarandës Sali Hasa, i cili u arrestua disa ditë më parë nën akuzën e korrupsionit. Në seancën e nesërme pritet që KLP të vendosë pezullimin nga detyra të Hasës, deri në përfundimin e hetimeve.
Prokurori i Sarandës Sali Hasa, eshte arrestuar me urdher te SPAK për shkak se ka rezultuar në përgjimet për një grup të trafikut të drogës, se ka marrë para kundrejt pushimit të çështjes për një të arrestuar.
Hasa dyshohet se ka marrë rryshfet për pushimin e akuzës për ”plagosje të lehtë me dashje” ndaj Emiljano Miranit, përmes motrës së këtij të fundit Elsona Papa.
Prokurori Hasa është një nga anëtarët e akuzës që ende nuk është futur në procesin e Vetingut, dhe jo më larg se në muajin Mars ai do të hiqte dorë nga rritja në detyrë, përmes një shkrese që i kishte nisur KLP-së.
Hasa sqaronte se ai hiqte dorë nga gara për pozicionin e kreut të prokurorisë së Sarandës, me pretendimin se kishte probleme shëndetësore .
“Pasi u njoh me relacionin e përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë të prokurorit z. Sali Hasa, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Sarandë.
Gjatë procedurës së verifikimit, kandidati Sali Hasa ka depozituar kërkesën dt. 10.05.2021, drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në të cilën i ka kërkuar Këshillit, heqjen dorë nga kandidimit për arsye shëndetësore”, thuhej në njoftimin zyrtar, të shpërndarë nga KLP rreth një muaj më parë.
Tashmë Hasa do të përballet me akuzën “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.