Krishtlindja: Historia, simbolet dhe traditat e një feste të shenjtë

0

Krishtlindja është një nga festat më të dashura në mbarë botën, që ngjall shpresë dhe begati mes besimtarëve e jo vetëm. Por, cila është zanafilla, simbolet dhe traditat e kësaj feste?

Zanafilla e Krishtlindjes

Krishtlindja (e njohur si “Kërshëndellat” apo “Kshnellat” nga besimtarët katolikë) është një festë fetare e krishterë. Besimtarët e festojnë çdo vit më 25 dhjetor, ditëlindjen e Jezus Krishtit; në kishat e Lindjes festohet më 7 janar, për shkak të kalendarit Julian. Pas Pashkëve, është festa më e rëndësishme për të krishterët.

Rëndësia e Krishtlindjes nisi të rritej pas kurorëzimit të Karlit të Madh në vitin 800, ditën e Krishtlindjes. Sot, festa kremtohet me skena të lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe kartolinave, dhe me mbledhjen e familjes.

Pema e Krishtlindjes

Një nga traditat më të përhapura sot është vendosja e pemës së Krishtlindjes dhe zbukurimi i saj. Origjina e këtij zakoni lidhet me tradita të lashta pagane dhe përdorimin e drurëve me gjelbërim të përhershëm në ceremonitë dimërore. Në traditën më të vjetër popullore, pema ndizet dhe qëndron ndriçuar deri natën e Vitit të Ri, simbolizuar konsumin e vitit të vjetër.

Pema moderne e Krishtlindjes nisi të përdoret në Gjermani në shekullin XVIII dhe u përhap më vonë në vende të tjera, duke u kthyer në një simbol të pandashëm të festës.

Babagjyshi i Vitit të Ri

Figura e Babagjyshit lidhet me legjenda skandinave dhe tradita të lashta. Ai është përfytyruar si një plak i shëndoshë dhe gazmor që sjell dhurata për fëmijët. Tradita moderne e Babagjyshit ka rrënjë edhe në legjendën e Shën Nikollës, një peshkop i shekullit IV, i njohur për bujarinë e tij.

Ushqimet tradicionale të Krishtlindjes

Panettone: Një bukë e ëmbël tradicionale nga Milano, që u krijua në shekullin XV.

Puding me kumbull: Një traditë që vjen nga Anglia Viktoriane, simbol i festës.

Gështenja: Një ushqim simbolik i varfërisë dhe thjeshtësisë, që lidhet me shpirtin e Krishtlindjes.

Peshku dhe agrumet: Pjatat me prodhime deti dhe agrumet janë pjesë e tryezës së shumë vendeve.

Zbukurimet dhe dhuratat

Zbukurimi i shtëpive me drita, kurora dhe ngjyra tradicionale (e kuqe, jeshile, e bardhë) simbolizon gëzimin e festës. Shkëmbimi i dhuratave mbetet një nga aspektet më të dashura të Krishtlindjes, që i jep festës një dimension më të madh shpirtëror dhe social.

Krishtlindja, për të krishterët dhe të gjithë ata që e festojnë, është një kohë për reflektim, dashuri dhe paqe.

Artikulli i mëparshëmRama dhe mbyllja e TikTok: Një strategji për të kontrolluar skandalet zgjedhore?
Artikulli i radhësKrishtlindje lufte në Palestinë: Betlehemi, qytet i trishtuar