Milan zyrtarizon dy transferime dhe synon Joao Felix

0

AC Milan po tregon një aktivitet intensiv gjatë merkatos së janarit, duke kompletuar dy transferime të rëndësishme dhe duke përgatitur një strategji për të sjellë në skuadër Joao Felix nga Chelsea.

Portugezi, i cili dikur konsiderohej një talent i madh, ka pasur një karrierë të luhatshme pas transferimit të tij të shtrenjtë prej 127 milionë eurosh nga Benfica te Atletico Madrid në vitin 2019. Pas huazimeve te Chelsea dhe Barcelona, Joao Felix u ble për 52 milionë euro nga klubi londinez, ku aktualisht aktivizohet.

Milan, nën drejtimin e trajnerit të ri Sergio Conceicao, po përpiqet të bindë Chelsean për lirimin e Felix. Sipas raportimeve nga “La Gazzetta dello Sport” dhe “Corriere della Sera,” Rossonerët po shfrytëzojnë lidhjet e ngushta të agjentit Jorge Mendes, i cili përfaqëson si Felix-in ashtu edhe trajnerin Conceicao, për të arritur një marrëveshje.

Paga vjetore e Felix-it prej 4.5 milionë eurosh shihet si më e përballueshme për Milanin, në krahasim me opsione të tjera në treg. Portugezi mund të luajë si trekuartist në formacionin 4-2-3-1 ose si sulmues mbështetës në skemën 4-4-2.

Ndërkohë, Milani ka zyrtarizuar edhe dy lëvizje të tjera sot. Sulmuesi Luka Romero është shitur te Cruz Azul FC, duke ndërprerë huazimin e tij te Deportivo Alaves. Po ashtu, mbrojtësi Marco Pellegrino ka përfunduar huazimin te Club Atletico Independiente dhe është transferuar te Huracan deri më 30 qershor.

Klubi kuqez po bën çdo përpjekje për të forcuar skuadrën dhe për të rritur konkurrueshmërinë, duke synuar një pjesëmarrje më të fortë në kampionat dhe në kompeticionet evropiane.

Artikulli i mëparshëmNgjarje e rëndë në Spanjë: Teleferiku këputet në resortin e skive, 17 persona në gjendje të rëndë ( VIDEO )
Artikulli i radhësKryendeshja e javës: Juventus vs Milan, përplasja vendimtare për Champions League