
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të Sali Berishës në Spanjë dhe ndaj rezolutës së miratuar nga Partitë Popullore Evropiane (PPE), duke e cilësuar si një tjetër “fletërrufe të kënetës”.
“Ra dje boria diku në Spanjë, ku ishin mbledhur partitë simotra të kënetës. Kaluan nga njëri-tjetri një fletërrufe me avazin e zakonshëm: blerje votash me lekë e kanabis, punësime elektorale, emërime ilegale, presion ndaj opozitës… një mal me broçkulla”, u shpreh Rama me ironi.
Kryeministri deklaroi se tashmë SPAK është në terren dhe në zyrë, duke marrë çdo denoncim dhe hetuar çdo abuzim zgjedhor. Ai u ndal edhe te çështja e punësimeve elektorale, duke theksuar se qeveria ka ndaluar çdo rekrutim dhe çdo prokurim në periudhën zgjedhore, ndërsa sipas tij, Shqipëria është sot e para në rajon për integritetin e prokurimeve publike.
Rama tha se është vetë shembull i një personi të akuzuar pa bazë, ndaj e njeh mirë mekanizmin e denoncimeve të rreme, por kjo sipas tij nuk do të ndalë organet e drejtësisë për të bërë punën.
“Tani kemi një institucion mbi palët. Le të shohë SPAK-u ku janë votat që po merren në këmbim të kanabisit”, shtoi ai.
Deklarata vjen në një moment kritik të fushatës, teksa përplasjet me opozitën po intensifikohen dhe retorika politike po ashpërsohet në prag të 11 majit.