
Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar çdo mundësi që Shqipëria të pranojë ndërtimin e një qendre pritjeje për emigrantët e paligjshëm nga Mbretëria e Bashkuar, duke theksuar se një marrëveshje e tillë nuk do të ndodhë.
Deklarata u bë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin britanik Keir Starmer, i cili ndodhet në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politik Europian. Rama u pyet nga gazetarët britanikë nëse Shqipëria do të ishte e gatshme të ndjekë një model të ngjashëm me atë të marrëveshjes me Italinë për pritjen e emigrantëve.
“Kemi qenë shumë të qartë që në fillim,” – tha Rama. “Marrëveshja me Italinë është unike. Është fryt i një marrëdhënieje të veçantë dhe kontekstit gjeografik që e bën të kuptueshme bashkëpunimin. Disa vende kanë kërkuar të ndjekin të njëjtin model, por përgjigjja jonë ka qenë ‘jo’. Ne i qëndrojmë besnikë martesës me Italinë – pjesa tjetër është vetëm dashuri.”
Kryeministri shqiptar zgjodhi një ton ironik dhe të qeshur për të refuzuar publikisht çdo nismë të ngjashme nga vende të tjera, përfshirë Britaninë. Kjo përgjigje vjen në një moment ku çështja e emigracionit është bërë temë e nxehtë politike në të dyja vendet, dhe vizita e Starmer ka ngritur pritshmëri për thellim bashkëpunimi në këtë drejtim.
Deri më tani, nuk ka asnjë sinjal zyrtar nga pala britanike për një marrëveshje konkrete mbi këtë temë, ndërsa vizita e Starmer në Tiranë përqendrohet kryesisht te partneriteti strategjik dhe siguria në rajon.