
Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masat e burgimit për Leonard Luzin dhe dy bashkëpunëtorët e tij, të akuzuar për përgatitjen e një atentati të dyfishtë në Vlorë. Sipas dosjes së SPAK, Luzi kishte porositur ekzekutimin e dy “të fortëve” lokalë në këmbim të 250 mijë eurove për secilën vrasje.
Zbardhet plani kriminal: “qorri” dhe “sakati” ishin objektivat
Viktimat e planifikuara për eliminim ishin Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, identifikuar nga SPAK si figurat që mbanin nën kontroll pjesë të rëndësishme të tregut të lojërave të fatit në qytetin e Vlorës.
Leonard Luzi, që sipas hetimit ka qëndruar për një kohë në Dubai, kishte porositur vrasjet përmes Amarildo Nikollit, i cili tashmë ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë.
Skema zbulohet në burgun italian
Nikolli ka rrëfyer se njohja me Luzin kishte ndodhur në një burg në Itali, dhe pas lirimit, ky i fundit i kishte propozuar eliminimin e dy personave për shifrën e 250 mijë eurove për secilin. Për zbatimin e planit, ai do të ndihmohej nga Erio Zejno (biondi) dhe Muharrem Koroveshi (fshatari).
Vendimi i Apelit: Burg për të tre
- Leonard Luzi: 7 vite e 4 muaj burg
- Muharrem Koroveshi: 6 vite e 8 muaj burg
- Amarildo Nikolli (i penduari): 2 vite e 9 muaj burg
Vendimi u la në fuqi nga Apeli i GJKKO, pas ankimimit të bërë nga të dënuarit.
SPAK: Qëllimi – kontrolli i lojërave të fatit
Sipas prokurorisë, motivi kryesor pas atentateve ishte marrja nën kontroll e territorit ku operonin lojërat e fatit në qytetin e Vlorës. Ndonëse komunikimi mes palëve është bërë përmes pseudonimeve, organi i akuzës arriti të identifikojë të gjitha palët përmes dëshmive, përgjimeve dhe dokumenteve.