
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se SHBA do të ofrojë garanci sigurimi dhe shoqërim ushtarak për cisternat e naftës dhe anijet tregtare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, në një përpjekje për të shmangur një krizë të thellë energjetike si pasojë e luftës me Iranin.
Trump njoftoi se Korporata Ndërkombëtare e Financimit për Zhvillim (DFC) do të ofrojë sigurime “me çmime shumë të arsyeshme” për të garantuar vijimësinë e furnizimeve energjetike dhe të tregtisë në Gjirin Persik. Ai shtoi se, nëse do të jetë e nevojshme, Marina Amerikane do të nisë menjëherë shoqërimin e cisternave përmes Ngushticës së Hormuzit.
“Pavarësisht gjithçkaje, Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë rrjedhën e lirë të energjisë për botën,” shkroi presidenti në rrjetet sociale.
Reagimi I Tregjeve
Pas deklaratës, çmimet e naftës në bursën amerikane u ulën ndjeshëm, me Brent-in që u stabilizua pranë 80 dollarëve për fuçi. Më herët, çmimet kishin shënuar rritje të forta pasi SHBA dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj Iranit, duke shkaktuar ndërprerje të gjera në Lindjen e Mesme dhe duke ngadalësuar ndjeshëm trafikun e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, korridor nga ku kalon rreth 20% e furnizimeve globale me energji.
Njoftimi i Trump erdhi në një moment kur disa nga kompanitë më të mëdha të sigurimit detar kishin tërhequr mbulimin për rrezikun e luftës për anijet që hyjnë në Gjirin Persik. Edhe pse disa pronarë anijesh mund të sigurojnë mbulim alternativ, kostot janë rritur ndjeshëm.
Masë Për Të Franuar Rritjen E Çmimeve
Administrata amerikane po përpiqet të zbusë rritjen e çmimeve të energjisë, të cilat janë shtuar për shkak të tensioneve në rajon. Një rritje e mëtejshme e çmimeve të karburanteve në tregun e brendshëm amerikan do të përbënte rrezik politik për Trump përpara zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se administrata kishte parashikuar luhatje të çmimeve dhe se Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, së bashku me Sekretarin e Energjisë, Chris Wright, do të prezantonin masa konkrete për të zbutur ndikimin në treg.
Sigurimi ndaj rrezikut politik, si ai që ofrohet nga DFC, mbulon humbjet që rrjedhin nga lufta, dhuna apo trazirat politike, duke synuar të mbajë të hapura korridoret strategjike të tregtisë ndërkombëtare në një moment tensioni të lartë global.
