Në lentet e fotografes Sanne De Wilde, Pingelap, një ishull i vogël koralor në oqeanin Paqësor, asgjë nuk është ashtu siç duket. Fotografitë e saj përshkruajnë një parajsë tropikale ku bimësia e xhunglës është rozë e lehtë, deti gri dhe banorët vendas e shohin njëri-tjetrin në ngjyra bardhë e zi. Fotografja belge sjell botën jo ashtu siç e sheh ajo – por ashtu si e imagjinojnë banorët e ishullit.SANNE DE WILDE
Pingelap është shtëpia e një numri të madh njerëzish që nuk mund të dallojnë dot ngjyrat. Akromatopsia (pamundësia për të dalluar ngjyrat) është e përhapur në rreth 1 në 30,000 njerëz në botë, ndërkohë që në Pingelap besohet se rreth 4%-10% e banorëve nuk dallojnë dot ngjyrat.
Mendohet se përhapja e gjerë lidhet me një mbret të shekullit XVIII, i cili pasi i mbijetoi një cunami katastrofik, dëshironte të ripopullonte Pingelap duke pasur shumë fëmjë. Por shumë nga pasardhësit e tij trashëguan genin e rrallë që shkakton akromatopsinë, e cila trashëgohet tashmë brez pas brezi.
Për ta ngjyra është thjesht një fjalë. E magjepsur nga mënyra si gjenetika i formëson njerëzit dhe komunitetet, De Wilde i ka botuar fotot në një libër të quajtur “The Island of the Colorblind”. Ajo përpiqet ta shohë botën përmes syve të banorëve duke edituar tonet e ngjyrave. Banorët pretendojnë se shohin më së shumti ngjyrën e kuqe, kështu që De Wilde editoi të kuqen. Të tjerët thanë se jeshilja është ngjyra e preferuar, megjithëse kjo është një nga nuancat që njerëzit me këtë çrregullim shohin më pak.
“Nuk ishte e lehtë të arrja në Pingelap,” tha De Wilde. “Ishte një pikë e vogël në oqeanin Paqësor. Një pikë e vogël në një blu të madhe.” Pasi mbërriti, ajo zbuloi se në ishull nuk kishte dyqane dhe restorante. Njerëzit mbijetojnë duke ngrënë arra kokosi dhe peshq.
“Njerëzit me akromatopsi janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj dritës, gjë që i pengon sepse jetojnë në një ishull tropikal me shumë diell. Ata e kanë të vështirë t’i mbajnë sytë hapur kur janë jashtë. Nuk e shohin fare ngjyrën. Kjo është arsyeja që çdo gjë i duket në hijet e grisë – diçka mes të zezës dhe të bardhës. Unë nuk ndryshova asnjë ngjyrë, por i ndryshoi kamera me infra të kuqe. Imazhet i konvertova në bardhë e zi dhe i editova me photoshop.”/ CNN