Arrestohet roja private e përfshirë në incidentin me protestuesin në Zvërnec, kompania ndërpret kontratën

0

Policia e Shtetit ka arrestuar 32-vjeçarin me iniciale G.B., punonjës i një kompanie private sigurie, i dyshuar si i përfshirë në incidentin e ndodhur një ditë më parë gjatë protestës kundër projektit turistik në Zvërnec.

Sipas njoftimit të policisë, në lidhje me ngjarjen po hetohen edhe dy persona të tjerë, shtetasit A.G. dhe G.V., ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës për mënyrën e menaxhimit të tubimit.

Ndërkohë, kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila po zhvillon projektin në zonë, reagoi përmes një deklarate publike duke bërë të ditur se ka ndërprerë me efekt të menjëhershëm marrëdhënien kontraktuale me shoqërinë private të sigurisë.

Në deklaratën e saj, kompania thekson se shoqëria e sigurisë ishte kontraktuar për të garantuar sigurinë e zonës private dhe se nuk kishte marrë asnjë udhëzim për të vepruar në kundërshtim me ligjin apo për të cenuar të drejtat e qytetarëve.

“Ndërhyrja ndaj një qytetari që ishte në të drejtën e tij të plotë për të protestuar jashtë kufirit të pronës dhe tërheqja e tij brenda saj për të ushtruar forcë nuk është vetëm e papranueshme moralisht, por edhe e dënueshme penalisht,” thuhet në reagimin e kompanisë.

Kompania kërkoi ndjesë për incidentin dhe u bëri thirrje organeve kompetente të zhvillojnë një hetim të plotë dhe të paanshëm për të përcaktuar përgjegjësitë.

Ngjarja ndodhi gjatë protestës së organizuar kundër projektit turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, ku pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan përplasje mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë private, duke shkaktuar reagime të shumta publike dhe politike.

Hetimet për rrethanat e plota të incidentit vijojnë.

Artikulli i mëparshëmVideo nga Nahariya: raketa të Hezbollahut bien pranë bregdetit, plazhistët ikin në panik