Tregjet e energjisë reaguan menjëherë ndaj përshkallëzimit të ri mes SHBA-së dhe Iranit në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të ndjeshme të naftës në botë. Brent kaloi kufirin e 90 dollarëve për fuçi, ndërsa sinjalet nga terreni tregojnë se goditjet ushtarake dhe pasiguria në lundrim po rëndojnë zinxhirin global të furnizimit.

Brent mbi 90 dollarë, WTI rritet me mbi 2%
Kontratat e së ardhmes për naftën Brent u rritën me 2.21 dollarë, ose 2.51%, duke shkuar në 90.31 dollarë për fuçi. Edhe nafta amerikane West Texas Intermediate shënoi rritje me 1.83 dollarë, ose 2.19%, duke arritur në 85.23 dollarë për fuçi.
Lëvizja vjen në një moment kur tregu po çmon jo vetëm zhvillimet ushtarake, por edhe rrezikun që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e kufizuar për më gjatë se sa ishte parashikuar më herët.
Goditje ushtarake dhe pretendime të pakonfirmuara
Sipas versionit zyrtar nga SHBA, forcat amerikane goditën të dielën dy lëshues raketash në ishullin Larak të Iranit, në Ngushticën e Hormuzit. Këto raportohen si ndër sulmet e para të pranuara publikisht nga Uashingtoni ndaj territorit iranian që nga fundi i korrikut.
Nga ana tjetër, mediat iraniane, duke cituar Gardën Revolucionare, raportuan se Irani u kundërpërgjigj me sulme ndaj dy bazave ajrore amerikane në Jordani.
Presidenti amerikan Donald Trump pretendoi në rrjetet sociale se ishulli Kharg, një nyje e rëndësishme energjetike e Iranit, po “shndërrohet në rrënoja”. Por nuk kishte prova të menjëhershme që ishulli ishte nën sulm, ndërsa postimi i tij shoqërohej me një video të krijuar me inteligjencë artificiale dhe pa detaje mbështetëse.
Hormuzi nën presion, anijet po shmangin kalimin
Ngushtica e Hormuzit mbetet pika kyçe e këtij tensioni. Përpara shpërthimit të luftës në fund të shkurtit, përmes kësaj rruge detare kalonte rreth një e pesta e naftës botërore.
Të dhënat e transportit detar të publikuara të hënën tregojnë se gjatë fundjavës numri i anijeve të mallrave që kaluan nëpër ngushticë ra në vetëm pesë në ditë. Kjo rënie pasqyron frikën e operatorëve për sigurinë e ekuipazheve dhe për rrezikun e goditjeve ndaj anijeve.
Shërbimi i Tregtisë Detare i Mbretërisë së Bashkuar njoftoi gjithashtu se një cisternë u godit nga një raketë teksa lundronte nëpër ngushticë të shtunën.
Negociatat në ngërç, tregu pret qartësi
Përpjekjet ndërmjetësuese për të rihapur Ngushticën e Hormuzit kanë hyrë në ngërç, ndërsa çdo përshkallëzim i ri po zbeh pritshmëritë për një rikthim të shpejtë te negociatat SHBA-Iran.
Kreu i kërkimit të energjisë në DBS, Savro Sarkar, vlerësoi se tregu po sheh më shumë një përballje të kufizuar sesa një përshkallëzim të qëndrueshëm, por theksoi se çdo goditje e re shtyn afatet për rihapjen e korridorit.
Sipas tij, çmimet e naftës mund të mbeten në intervalin 85-95 dollarë për fuçi deri sa të ketë më shumë qartësi për situatën në Hormuz. Ndërkohë, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se SHBA mund të vendosë sanksione të reja dytësore ndaj Iranit çdo javë.
Megjithatë, pavarësisht kërcimit të fundit, Brent dhe WTI pritet ta mbyllin gushtin me rënie të lehtë, pasi javën e kaluar kishin humbur më shumë se 4%.
Në të njëjtën kohë, Trump deklaroi se nafta që SHBA pret të sigurojë nga marrëveshja e fundit me Venezuelën do të përdoret për të rimbushur Rezervën Strategjike të Naftës, e cila ndodhet pranë nivelit më të ulët në 44 vjet.
