KLSH ngre alarmin për pesticide të ndaluara: Ministria zgjati afatet përtej BE-së

0

Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit hedh dyshime serioze mbi mënyrën si janë menaxhuar pesticidet e ndaluara në Shqipëri. Sipas raportit, gjatë viteve 2022–2024, 10 produkte të ndaluara në Bashkimin Evropian kanë vijuar të qarkullojnë në treg, me afate të zgjatura përtej kufijve të përcaktuar nga Brukseli.

KLSH ngre alarmin për pesticide të ndaluara: Ministria zgjati afatet përtej BE-së

10 pesticide të ndaluara mbetën në treg

Sipas gjetjeve të KLSH-së, në periudhën kur Ministria e Bujqësisë drejtohej nga Anila Denaj, këto produkte janë lejuar të shiten në farmacitë bujqësore edhe pse lëndët përkatëse ishin nxjerrë jashtë përdorimit në BE për shkak të rreziqeve për shëndetin.

Raporti ngre pikëpyetje të forta për rolin e ministrisë, e cila jo vetëm nuk ka siguruar tërheqjen në kohë të këtyre produkteve nga tregu, por sipas auditimit u ka dhënë hapësirë shtatë bizneseve importuese që t’i tregtojnë përtej afateve të përcaktuara nga Komisioni Evropian.

Raste konkrete me afate të zgjatura

Në listat e publikuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural rezulton se pesticidi Spinetoram figuron me afat vlefshmërie deri më 30 qershor 2025, ndërsa afati në listën e BE-së ishte 30 prill 2024.

Për preparatin Dimethomorph, afati në Shqipëri rezulton deri më 30 prill 2025, ndërkohë që në BE ishte mbyllur më 30 prill 2024. Ndërsa Metaflumizone figuron me afat deri më 31 dhjetor 2025, edhe pse në listën e BE-së afati ishte 31 dhjetor 2024.

Një tjetër rast i përmendur është Clofentezine, që në të dhënat e publikuara nga ministria rezulton me afat deri më 11 maj 2024, ndërsa afati i BE-së kishte përfunduar më 11 nëntor 2023.

Mungon plani i kontrollit dhe zinxhiri i përgjegjësisë

KLSH konstaton se nuk ekziston një plan i qartë për menaxhimin dhe kontrollin e pesticideve të ndaluara. Sipas raportit, kjo lë hapësirë për përdorim të pakontrolluar të lëndëve të rrezikshme dhe për një tregtim që u shërben interesave të importuesve.

Po ashtu, në listat e produkteve të përjashtuara në BE nuk është sqaruar se si do të realizohet procesi i nxjerrjes nga qarkullimi, kush mban përgjegjësi konkrete dhe si do të monitorohet zbatimi. Në praktikë, afatet mbeten pa mbikëqyrje të qartë institucionale.

Ministria shmang barrën, fermerët mbajnë koston

Pas gjetjeve të auditimit, versioni zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë është se ajo nuk është struktura përgjegjëse për menaxhimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe se kjo detyrë u takon Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe institucioneve të tjera.

Por efekti në terren bie mbi fermerët. Produktet bujqësore të trajtuara me pesticide që lejohen në Shqipëri, por janë të ndaluara në BE, rrezikojnë refuzim ose asgjësim në pikat doganore, duke i lënë kostot ekonomike te prodhuesit dhe jo te hallkat që kanë lejuar zvarritjen e afateve.

Raporti i KLSH-së nxjerr në pah një skemë ku standardi europian përjashtohet në letër, por shtyhet në praktikë. Në një sektor që prek drejtpërdrejt sigurinë ushqimore dhe tregtinë bujqësore, mungesa e kontrollit nuk mbetet thjesht problem administrativ.

Pikëpyetja kryesore është pse produktet e ndaluara nuk u tërhoqën në kohë dhe kujt i ka shërbyer realisht kjo shtyrje afatesh.

Artikulli i mëparshëmElbasan: Robbers Dressed as Police Enter Home and Flee Into the Darkness
Artikulli i radhësEU 2028-2034 Budget Plan Clashes in Brussels as Merz Rejects Irish Draft