Qeveria ka futur menjëherë në fuqi paketën e re për tubimet, një ndërhyrje ligjore që rrit ndjeshëm gjobat dhe zgjeron kompetencat e policisë në terren. Sipas versionit zyrtar, masat synojnë dhunën, por përmbajtja e aktit prek drejtpërdrejt edhe mënyrën si zhvillohen protestat, shpërndarja e tyre dhe kufizimi i aksesit në zona të caktuara.

Gjobat rriten ndjeshëm për pjesëmarrje dhe mosbindje
Ndryshimet parashikojnë gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë për pjesëmarrje në tubime të ndaluara, si edhe për fshehje të paligjshme të identitetit. Për mosbindje ndaj urdhrave të policisë për shpërndarjen e tubimit, gjobat shkojnë nga 10 mijë në 100 mijë lekë, ndërsa në raste të tjera të parashikuara nga ligji arrijnë nga 20 mijë deri në 200 mijë lekë.
Masa më e rëndë financiare parashikohet kur personi, ndaj të cilit jepet urdhri i shpërndarjes, është me identitet të fshehur. Në këtë rast, sipas aktit normativ, gjoba varion nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë.
5000 lekë për bllokimin e rrugëve gjatë protestave
Akti përcakton se bllokimi i rrugëve automobilistike ose akseve rrugore gjatë një tubimi, kur nuk përbën vepër penale, trajtohet si kundërvajtje administrative. Gjoba është 5 mijë lekë për çdo ditë bllokimi, për çdo person që merr pjesë, pavarësisht sa ka zgjatur bllokimi gjatë asaj dite.
Kjo do të thotë se barra financiare bie drejtpërdrejt mbi individët pjesëmarrës, ndërsa vendosja e gjobave i lihet Policisë së Shtetit, çka e forcon më tej rolin ndëshkues të policisë në raport me tubimet publike.
Policia fiton hapësirë më të gjerë për kufizime dhe largime
Sipas ndryshimeve, drejtuesi i drejtorisë vendore të policisë, me miratimin e prefektit, mund të ndalojë ose kufizojë tubimet rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore për deri në 72 orë, me mundësi rinovimi një herë. Ligji kërkon që vendimi të përcaktojë qartë perimetrin, afatin dhe arsyet, ndërsa ankimi në gjykatë nuk e pezullon automatikisht zbatimin.
Po ashtu, punonjësi i Policisë së Shtetit mund të urdhërojë largimin e një personi nga të ashtuquajturat zona të mbrojtura për deri në 48 orë, kur vlerëson se sjellja e tij përbën kërcënim, ngacmim të përsëritur, dhunë, dëmtim prone ose pengim me dhunë të aksesit. Urdhri duhet të jepet me shkrim dhe të përmbajë faktet konkrete.
Regjistrime audiovizuale dhe ndërhyrje edhe në rrjetet sociale
Paketa i jep Policisë së Shtetit të drejtën të regjistrojë me mjete audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimit, si edhe aktet e dhunës apo dëmtimet e pronës gjatë protestave. Sipas aktit, këto regjistrime do të ruhen dhe përpunohen në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Ndryshimet parashikojnë edhe ndërhyrje në rastet e thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale, postë elektronike ose komunikime telefonike. Sipas parashikimit zyrtar, policia mund të identifikojë llogarinë ose numrin dhe t’i kërkojë mbajtësit fshirjen e përmbajtjes dhe mospërsëritjen e saj.
Akti normativ është miratuar me propozim të ministrit të Brendshëm dhe ka hyrë në fuqi menjëherë me botimin në Fletoren Zyrtare.
Pavarësisht justifikimit të qeverisë me nevojën për të frenuar dhunën, paketa zgjeron dukshëm mekanizmat e kontrollit mbi protestën publike dhe i jep policisë më shumë fuqi për kufizim, dokumentim dhe ndëshkim administrativ.
