Besimi i konsumatorit francez dhe gjerman ka rënë ndjeshëm në Nëntor, ndërkohë që masat e reja të koronavirusit kanë larguar shpresat e një rikthimi të shpejtë në normalitet. Restorantet, baret, hotelet dhe qendrat e argëtimit janë mbyllur këtë muaj në të 2 vendet, për të parandaluar valën e dytë të Covid-19. Këto masa kanë frenuar kërkesën e familjeve përpara sezonit të pushimeve, duke ulur shanset e një rimëkëmbjeje ekonomike të nxitur nga konsumi.
Franca, që vendosi masat më të ashpra në Europë më 30 Tetor, pësoi rënie të besimit të konsumatorit këtë muaj në nivelin më të ulët që prej Dhjetorit 2018, madje më keq se gjatë karantinës së parë. Agjencia e Statistikave në Francë bëri të ditur se indeksi i besimit të konsumatorit ra në 90 pikë, poshtë projeksioneve prej 92. Ky është niveli më i ulët që prej protestave të dhunshme të “jelekëve të verdhë” që detyruan shumicën e dyqaneve që të mbyllen. Familjet ndihen më të pasigurta mbi planet financiare, ndërkohë që shqetësimet mbi papunësinë kanë arritur nivelin më të lartë që prej mesit të 2013-s. Planet për blerje të mëdha kanë rënë dhe më shumë persona kanë thënë se është koha për të kursyer.
Në Gjermani, morali i konsumatorit pësoi gjithashtu rënie, ndërkohë që karantina ka ndikuar tek pritshmëritë e familjeve mbi të ardhurat dhe gatishmërinë e tyre për të blerë, sipas sondazhit. Instituti GfK, theksoi se indeksi i besimit të konsumatorit, bazuar në sondazhin e rreth 2,000 gjermanëve, ra në -6.7, nga -3.2 në muajin e kaluar.