Vendimi i Strasburgut për pagat e magjistratëve: çfarë sinjali jep për Shqipërinë

0

Vendimi i fundit i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për një çështje pagash në Rumani hap një debat që prek drejtpërdrejt edhe Shqipërinë. Në thelb, Strasburgu vendos disa kufij të qartë: shteti nuk mund të fshihet pas mungesës së fondeve për të mos zbatuar vendimet gjyqësore, por njëkohësisht gjykatat nuk mund të sillen si autoritet që rishkruan politikat fiskale dhe shpërndan fondet publike sipas interesit të vet institucional.

Vendimi i Strasburgut për pagat e magjistratëve: çfarë sinjali jep për Shqipërinë

Çfarë vendosi Strasburgu në çështjen rumune

Në çështjen “Puşcaşu dhe të tjerë kundër Rumanisë”, pesë gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë iu drejtuan GJEDNJ-së pasi shteti rumun nuk kishte ekzekutuar plotësisht vendimet që u njihnin përfitime financiare. Sipas të dhënave të paraqitura në proces, shumat e pretenduara lëviznin nga 30 mijë deri në rreth 572 mijë euro për person.

Gjykata nisi nga një parim i njohur: mungesa e fondeve nuk e justifikon moszbatimin e një vendimi gjyqësor. Por, në këtë rast, Strasburgu e pa situatën si të veçantë për shkak të përmasës së detyrimeve, vështirësisë për t’i parashikuar ato dhe gjendjes së rënduar ekonomike e fiskale në Rumani.

Konflikti i interesit dhe kufijtë e gjykatave

Pjesa më delikate e arsyetimit lidhet me mënyrën si u krijuan këto detyrime financiare. Sipas GJEDNJ-së, jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dhe e Gjykatës së Kasacionit në Rumani kishte ndikuar ndër vite në riformësimin e sistemit të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa ndryshuar formalisht ligjin për pagat.

Këtu Strasburgu ngre qartë çështjen e konfliktit të interesit: kur gjyqtarët vendosin për elementë page nga të cilët mund të përfitojnë edhe vetë, krijohet rrezik për paanshmërinë dhe për perceptimin publik. Sipas arsyetimit të gjykatës, në raste të tilla mund të krijohet edhe përshtypja se gjyqësori po kalon nga interpretimi i ligjit te ndërhyrja në territorin e legjislativit dhe ekzekutivit.

Po në këtë linjë, GJEDNJ thekson se përcaktimi i prioriteteve të shpenzimeve publike dhe ndarja e fondeve i takojnë qeverisë dhe parlamentit, të cilët kanë hapësirë të gjerë vlerësimi në politikat ekonomike dhe fiskale.

Pse ky vendim lexohet edhe në Tiranë

Ky arsyetim vjen në një moment kur në Shqipëri debati për pagat e magjistratëve është kthyer në përplasje institucionale. Pas 31 korrikut 2026, afat që Gjykata Kushtetuese i kishte lënë Kuvendit për ndryshimin e ligjit, ndërhyrja ligjore nuk u bë brenda kohës së përcaktuar.

Më pas, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë përcaktuan pagën e re referuese për gjyqtarët dhe prokurorët, si edhe diferencat financiare që duhej të llogariteshin nga 1 prilli 2023. Debati u zhvendos menjëherë te fondet që duhen për zbatimin e këtyre vendimeve, pra pikërisht te pika ku përplasen pavarësia e sistemit dhe kontrolli mbi paranë publike.

Në shtator, Kuvendi ndërhyri me një ligj të ri për pagat, por edhe ky u kundërshtua sërish në Gjykatën Kushtetuese nga shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në këtë klimë, vendimi i Strasburgut nuk jep një zgjidhje automatike për Shqipërinë, por sjell një standard që vështirë se mund të anashkalohet në debat.

Si e arsyetoi gjykata shtyrjen e pagesave

Në rastin rumun, GJEDNJ shqyrtoi nëse shtyrja e pagesave ishte proporcionale. Sipas vendimit, pagesat nuk ishin hequr, por ishin ndarë në këste dhe ishin shtyrë në kohë përmes akteve ligjore, me argumentin e uljes së presionit mbi financat publike dhe konsolidimit fiskal.

Sipas versionit të paraqitur nga qeveria rumune, pagesat e kryera ndër vite për gjyqtarët dhe prokurorët kalonin 1.6 miliardë euro. Vetëm për vitin 2026, Gjykata e Kasacionit dhe Prokuroria e Përgjithshme kishin kërkuar edhe rreth 1.4 miliardë euro të tjera për detyrime të prapambetura dhe interesa. Në vitin 2025, kur deficiti buxhetor kishte arritur në 9.3% të PBB-së, pagesat ende të pashlyera për atë vit u shtynë për në 2026.

Gjykata mori parasysh edhe një tjetër element: ndikimin konkret të vonesave te pesë kërkuesit. Ajo vërejti se të ardhurat e tyre ishin dukshëm mbi pagën mesatare në Rumani dhe madje mbi pagat e zyrtarëve më të lartë shtetërorë, çka sipas gjykatës dobësonte pretendimin se vonesat kishin krijuar barrë individuale të tepruar.

Në përfundim, GJEDNJ i shpalli kërkesat unanimisht të papranueshme si haptazi të pabazuara dhe vendimi është përfundimtar.

Për Shqipërinë, mesazhi që del nga ky standard është i dyfishtë: vendimet gjyqësore nuk mund të trajtohen si opsionale nga shteti, por as sistemi i drejtësisë nuk mund të sillet sikur ka në dorë edhe ligjin, edhe buxhetin, edhe faturën që u çohet taksapaguesve.

Artikulli i mëparshëmBojkoti i pedagogëve shtrihet në Shkodër, Korça vijon pa afat; universitetet e tjera në normalitet
Artikulli i radhësSocialists seek expulsion of 20 Democratic Party MPs, Bardhi: Political aggression against the opposition