Protestuesit lexojnë deklaratën e Grupit Koordinues: “Deputetët nuk na përfaqësojnë”, akuzojnë policinë për dhunë

0

TIRANË – Protesta kundër qeverisë u zhvillua edhe mbrëmjen e së enjtes në ditën e saj të 33-të, me qindra qytetarë që u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime nga përfaqësues të Grupit Koordinues.

Gjatë tubimit u lexua një deklaratë në emër të organizatorëve, ku u komentuan përplasjet e ndodhura më herët gjatë ditës para Kuvendit. Sipas tyre, protesta kishte për qëllim të shprehte pakënaqësinë ndaj deputetëve, ndërsa policia akuzohet për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve.

Organizatorët pretenduan se disa qytetarë u goditën gjatë ndërhyrjes së policisë dhe se ndaj protestuesve u përdorën shkopinj gome dhe gaz lotsjellës. Ata deklaruan se lëvizja do të vijojë në mënyrë paqësore dhe se nuk do të tërhiqen nga protestat.

Në fjalën e tij para protestuesve, një nga nismëtarët e lëvizjes, Alben Kola, u bëri thirrje qytetarëve të shmangin çdo provokim dhe të ruajnë karakterin paqësor të protestës.

“Duhet të jeni të vëmendshëm dhe të mos bini pre e provokimeve. Protesta jonë do të vazhdojë në mënyrë paqësore”, u shpreh ai.

Tubimi i mbrëmjes u zhvillua pas tensioneve të regjistruara paraditen para Kuvendit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, si edhe shoqërime e arrestime të disa pjesëmarrësve.

Protestuesit kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa kërkojnë lirimin e personave të arrestuar gjatë protestës dhe hetim mbi ndërhyrjen e Policisë së Shtetit.

Artikulli i mëparshëmAMP arreston katër efektivë policie në Shkodër, dyshohen për shpërdorim detyre
Artikulli i radhësEDI RAMA AND VUCIC- THE NEW STRONGMEN OF THE BALKANS?