Harrojeni qepën! “Pasqyra” që duhet të bëjë qeveria: Sa kushton realisht 1 m² ndërtim dhe pse shqiptarëve u shitet deri në 6,000 euro

0

Qeveria ka paralajmëruar ngritjen e platformës “PriceWatch Albania” apo “Pasqyra Albania”, ku bizneset do të detyrohen të raportojnë çmimet e makaronave, vajit, sheqerit, frutave, perimeve dhe detergjentëve.

Ideja është paraqitur si një instrument që do të ndihmojë shtetin të kuptojë se ku ndodhet “hallka abuzuese” që shumëfishon çmimin deri te konsumatori.

Në parim, transparenca e çmimeve është pozitive. Por nëse qeveria kërkon vërtet një “pasqyrë” të ekonomisë shqiptare, atëherë duhet ta drejtojë atë aty ku janë qindra mijëra euro për çdo familje shqiptare, jo vetëm te 10 apo 20 lekët më shumë të një kilogrami qepë.

Le të fillojë me ndërtimin.

Problemi ekonomik që po ndryshon strukturën sociale të Tiranës nuk është nëse patatja kushton 80 apo 100 lekë kilogrami. Është fakti që një apartament normal po shkon drejt një vlere që një pjesë gjithnjë e më e madhe e qytetarëve nuk mund ta krijojë me të ardhurat e punës gjatë një pjese të konsiderueshme të jetës së tyre.

Ministria do transparencë? Atëherë kjo është “Pasqyra” që duhet të publikojë

Për çdo leje të madhe ndërtimi në Tiranë, qytetari duhet të ketë mundësi të shohë jo vetëm çmimin final të apartamentit, por edhe strukturën reale të kostos.

Në mënyrë orientuese, një ndërtim i ulët 1–2 kate mund të ketë një kosto teknike rreth 550–750 euro/m². Një objekt 10-katësh mund të lëvizë rreth 700–950 euro/m², një 15-katësh rreth 900–1,300 euro/m², ndërsa një kullë 30+ kate mund të shkojë rreth 1,800–2,500 euro/m² ose më shumë, sipas standardit të ndërtimit.

Këto nuk janë tarifa zyrtare dhe as shifra universale. Kostoja ndryshon sipas themeleve, nëntokës, standardit sizmik, fasadës, ashensorëve, instalimeve, eficiencës energjetike, parkimeve, cilësisë së materialeve dhe nivelit të përfundimit.

Por pikërisht këtu nis pyetja serioze.

Sa kushton realisht ndërtimi?

Sa kushton trualli?

Sa janë taksat?

Sa kushton financimi?

Sa metra katrorë i jepen pronarit të tokës?

Sa është kostoja totale për metër katror të shitshëm?

Dhe më pas: me sa shitet?

Nëse qeveria mendon se transparenca e marzhit është e rëndësishme për një pako makarona, atëherë duhet të jetë shumë më e rëndësishme për një apartament prej 150 mijë, 300 mijë apo 500 mijë eurosh.

Kjo është hallka që duhet analizuar.

Jo vetëm qepa.

Sa po shitet metri katror?

Në Tiranë, çmimet e apartamenteve janë shkëputur prej kohësh nga niveli i të ardhurave mesatare të qytetarëve.

Me një çmim mesatar rreth 2,100 euro/m², një apartament modest prej 80 m² kushton afërsisht:

80 × 2,100 = 168,000 euro.

Jo penthouse.

Jo vilë.

Jo pronë luksoze në kullë.

Një apartament prej 80 metrash katrorë.

Në zona të caktuara të Tiranës çmimet janë shumë më të larta, ndërsa në segmentin premium dhe në kullat e qendrës ofertat mund të shkojnë në disa mijëra euro për metër katror.

Pra, ndërsa qeveria kërkon të zbulojë pse një produkt ushqimor shitet disa lekë më shtrenjtë nga një market te tjetri, në tregun e banesave kemi diferenca prej qindra dhe mijëra eurosh për metër katror.

Dhe ky nuk është një detaj ekonomik.

Është një nga problemet më të mëdha sociale të vendit.

169 mijë euro për një apartament mesatar

Nëse marrim një apartament 80 m² me çmim 2,116 euro/m², rezultati është:

169,280 euro.

Pastaj le ta krahasojmë këtë me pagën mesatare.

Me një pagë bruto rreth 90 mijë lekë në muaj, një punonjës mesatar krijon afërsisht 10–11 mijë euro të ardhura bruto në vit.

Kjo do të thotë se një apartament prej rreth 169 mijë eurosh kushton afërsisht sa 15–16 vite të gjithë pagës bruto të një punonjësi mesatar.

Por kjo llogari funksionon vetëm me një kusht absurd: që ky qytetar të mos hajë, të mos vishet, të mos paguajë energji, të mos ketë fëmijë, makinë, qira, pushime apo asnjë shpenzim tjetër dhe të dorëzojë 100% të pagës për apartamentin.

Me dy paga mesatare në familje, përsëri flasim për rreth tetë vite të të gjitha të ardhurave bruto të familjes, para interesit të kredisë dhe pa shpenzuar asnjë qindarkë për të jetuar.

Në jetën reale, familjet nuk mund të shpenzojnë 100% të të ardhurave për strehim.

Nëse merret një kufi normal prej 30–35% të të ardhurave mujore për banesën, hendeku mes të ardhurave dhe çmimit real të pronës bëhet edhe më dramatik.

Kjo është përballueshmëria që duhet të masë shteti.

Qeveria kërkon “hallkën që shumëfishon çmimin”? Le të fillojë nga ndërtimi

Nëse filozofia e “Pasqyrës” është të krahasojë çmimin fillestar me atë final dhe të kuptojë se ku ndodh rritja, atëherë ndërtimi është ndoshta laboratori më interesant ekonomik në Shqipëri.

Sepse këtu nuk kemi diferencë 20 lekë.

Kemi diferenca prej qindra dhe mijëra eurosh për metër katror.

Dhe kemi një treg ku çmimet e banesave në shumë zona të Tiranës janë rritur në mënyrë shumë më agresive sesa pagat dhe kostot e zakonshme të jetesës.

Kjo nuk do të thotë automatikisht se çdo diferencë është “abuzim”.

Çmimi i tokës, taksat, financimi, risku, kërkesa, kostoja e kapitalit dhe fitimi janë të gjitha pjesë legjitime të çmimit.

Por nëse qeveria kërkon të analizojë “hallkat”, atëherë duhet t’i analizojë pikërisht këto.

Me metodologji.

Me të dhëna.

Me transparencë.

Jo me slogane.

Qepa dhe patatja janë pjesa më e lehtë e propagandës

Sigurisht që qytetarët duhet të kenë mundësi të krahasojnë çmimet e ushqimeve.

Por të ndërtohet një narrativë e madhe shtetërore rreth faktit se qytetari do të zbulojë se ku është qepa 10 lekë më lirë, ndërkohë që një apartament prej 80 m² në kryeqytet kushton rreth 170 mijë euro, është një banalizim propagandistik i problemit real të kostos së jetesës.

Familja shqiptare nuk po e humbet perspektivën ekonomike sepse një supermarket shet detergjentin 30 lekë më shtrenjtë se tjetri.

Ajo e humbet perspektivën kur dy të rinj me punë dhe paga normale kuptojnë se prona në qytetin ku jetojnë po largohet çdo vit më shumë nga fuqia e tyre blerëse.

Problemi nuk është vetëm sa kushton ushqimi sot.

Problemi është nëse një çift i ri mund të blejë shtëpi.

Nëse mund të krijojë familje.

Nëse mund të qëndrojë në Tiranë.

Nëse mund të jetojë me të ardhurat e veta pa u futur në një kredi 25 apo 30-vjeçare që i konsumon pjesën më të madhe të të ardhurave.

Kjo është kriza e kostos së jetesës.

Jo fotografia e çmimit të patates.

Nëse doni “Pasqyrë”, bëjeni vërtet Pasqyrë

Qeveria duhet të publikojë një databazë të plotë për projektet e mëdha të ndërtimit.

Për çdo projekt duhet të dihet:

kostoja e deklaruar e investimit, sipërfaqja totale, kostoja për metër katror, vlera e truallit, taksat, kostot e financimit, çmimi mesatar i shitjes, numri i njësive të shitura dhe përqindja e tyre e financuar me kredi bankare.

Dhe pastaj të shtohet treguesi më i rëndësishëm nga të gjithë:

Sa për qind e familjeve shqiptare mund ta blejnë këtë apartament me të ardhurat e deklaruara?

Atëherë do të kemi një platformë që prodhon debat ekonomik të vërtetë.

Atëherë mund të flasim për transparencë.

Atëherë mund të kuptojmë nëse tregu mbështetet nga të ardhurat reale, nga kreditimi, nga paratë e emigracionit, nga investimet apo nga burime të tjera financimi.

Përndryshe, të kërkosh “hallkën abuzuese” te qepa dhe patatja, ndërsa përballë ngrihen ndërtesa ku një apartament mund të kushtojë qindra mijëra apo edhe afro një milion euro, është ta çosh debatin publik ekonomik në një nivel banaliteti që kufizohet me idiotizimin e publikut.

Shqiptarëve nuk u duhet vetëm të dinë se ku është patatja më e lirë.

U duhet të dinë pse shtëpia ku duhet të jetojnë po bëhet e paarritshme.

Artikulli i mëparshëmLAJMI I FUNDIT/ Arrestohet Ergys Agasi, i kërkuar nga SPAK për dosjen e AKSHI-t